Partia Socialdemokrate, më 6 mars zhvilloi një aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës. Kjo parti kishte vendosur 205 mijë nënshkrimet e peticionit kundër Asociacionit të grumbulluar në vitin 2016-të, raporton Gazeta Enigma.
Por, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka reaguar ndaj këtij aksioni, duke thënë se janë shpalosur të dhëna personale të qytetarëve të Kosovës.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje subjekteve mediatike/portaleve, ashtu si edhe qytetarëve që përdorin rrjetet sociale, të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale, që gjatë transmetimit apo njoftimit me lajmin të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve që gjenden në listat e shpërndara, duke aplikuar efektet e mjegullimit”, thuhet në reagim.
Agjencia tha se listat e publikuara nga PSD-ja “përmbajnë kategori të të dhënave personale të qytetarëve, të cilat janë mbledhur dhe përpunuar për një qëllim specifik (peticionin e vitit 2016 kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe)”.
Ndërkaq sot, AIP-ja ka njoftuar se listat me të dhënat personale të mbledhura gjatë peticionit të vitit 2015, të shpërndara para objektit të Qeverisë së Kosovës, janë larguar nga Policia e Kosovës dhe janë të vendosura në një ambient të sigurt nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi është në komunikim zyrtar me Policinë e Kosovës dhe bazuar në autorizimet ligjore do të ndërmarrë të gjitha veprimet që këto lista me të dhëna personale të qytetarëve të trajtohen sipas kritereve të parapara me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftimin e AIP-së.