Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se në orët e pasdites, protestat pran objekteve të tri komunave në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, duke përjashtuar një numër të vogël të protestuesve që vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit.
Sipas PK-së, pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen.
“Sot, situata e sigurisë në veri të vendit ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë, përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku kohë pas kohe është tensionuar, pasi protestuesit/grupet kriminale, kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme, të forta gazetarë të mediave të ndryshme. Po ashtu edhe disa vetura të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë veturave”.