Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar edhe dje në parkun e qytetit në Vushtrri, ku Policia ka kapur në flagrancë dy persona, teksa po konsumonin substanca narkotike.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se posa zyrtarët policorë kanë intervenuar, të dyshuarit, e moshave 14 dhe 29 vjeç kanë hedhur në tokë një sasi të marihuanës, që kanë qenë duke e përdorur.
Pas përfundimit të kontrollit policor, droga është sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratat e tyre lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.