Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim policor, Korab Gashin, i cili dyshohet se është i përfshirë në grabitjen e armatosur në argjendarinë ‘Diakos’ në Suharekë.
Për lokalizimin e vendndodhjes së tij, Policia ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve.
“Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e Grabitjes së Armatosur dhe Plagosjes së Zyrtarit Policor, ndodhur me datë 22.11.2023 në argjendarin në Suharekë.
Lidhur më këtë rast, një person i identifikuar ende është në arrati dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër arresti nga organet e drejtësisë.
Personi i cili po kërkohet është Korab Zeqir Gashi, i lindur me 01.03.1982 në Prishtinë, me numër personal 1014599319.
Për identifikimin dhe arrestimin e tij kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë informata të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, Korab Gashi arriti që të arratiset dy javë më parë nga aksioni i Policisë për kapjen e të dyshuarve për grabitjen e armatosur në ‘Diakos’. Gjatë konfrontimit me Policinë, mbeti i vrarë vëllai i Korabit, Dukagjin Gashi.
Ndërsa kanë rënë në prangat e Policisë, Bujar Basha dhe Leotrim Cakolli.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.