Policia konfirmon ekstradimin e Dukagjin Nikollajt nga Spanja, i dyshuar për rastin “Bon Vivant”

Policia konfirmon ekstradimin e Dukagjin Nikollajt nga Spanja, i dyshuar për rastin “Bon Vivant”

Sinjali mëson se Nikollaj është ekstraduar nga Spanja në Kosovë dhe ndodhet në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 6 gusht 2026 ka ekstraduar nga Spanja një shtetas kosovar, i cili kërkohej përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle, ndërsa pas ekstradimit u është dorëzuar njësive përkatëse policore në rajonin e Prishtinës për vazhdimin e procedurave ligjore.

Rasti në “Bon Vivant” kishte ndodhur më 4 gusht 2023, në rrugën “Xheladin Hana”, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, ku dyshohet se ishin përdorur armë zjarri.

Si pasojë e të shtënave, Kastriot Ramadani kishte humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë ishin plagosur. Po ashtu, 17 persona, prej tyre tre burra dhe 14 gra, kishin marrë lëndime nga thyerja e gotave dhe shisheve të qelqit.

Sinjali kishte mësuar se Nikollaj dyshohej se ishte përfshirë në shkrepjen e armëve dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Në mesin e të dyshuarve për rastin ishin përmendur edhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti.

Ekstradimi është realizuar në koordinim mes Policisë së Kosovës, institucioneve të drejtësisë dhe autoriteteve spanjolle.

Related Articles