Policia e Kosovës ka konfiskuar 105 mijë euro të falsifikuara në rajonin e Gjilanit, raporton Gazeta “Enigma”.
Policia në koordinim edhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka realizuar një plan, pasi janë pranuar informacione se në rajonin e Gjilanit disa persona të dyshuar janë duke tentuar të vënë në qarkullim shuma të mëdha të parave të falsifikuara.
Lidhur me rastin gjatë veprimeve hetimore në mënyrë të kontrolluar është ndaluar një veturë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar 105 mijë euro për të cilat ekziston dyshimi se janë para të falsifikuara.
Policia ka njoftuar se në lidhje me rastin është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit ku është gjetur makina për numërimin e parave.
Në këtë rast në total janë sekuestruar provat si në vijim:
100,000.00 €uro kartëmonedha nga 200 €uro; 5000.00 €uro kartëmonedha nga 100 €uro; 1 makinë për numërimin e parave; 3 telefona celular.
Tutje, policia ka njoftuar se lidhur me rastin me vendimin e prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerje të veprave ‘’Falsifikimi i parasë’’ dhe ‘’Pastrim i parasë’’.