Policia e Kosovës të martën e 3 qershorit ka realizuar një aksion të suksesshëm në zonën kufitare me Serbinë, ku ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të madhe të duhanit të kontrabanduar, raporton Gazeta “Enigma”.
Siç njofton Policia, ky aksion është zhvilluar më 3 qershor 2025, nga Njësia e Task Forcës në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Rajonale të Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Lindje, si pjesë e masave të shtuara për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës.
Pas pranimit të informatave për mallra të kontrabanduara, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, është kontrolluar një shtëpi dhe objektet përcjellëse në komunën e Gjilanit, ku janë gjetur mbi 600 kilogramë duhan i përpunuar dhe i gatshëm për treg, të markave të ndryshme.
Duhani i kontrabanduar ka vlerë tregu rreth 12 mijë euro, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore llogaritet të jetë rreth 30 mijë euro.
Mallrat janë sekuestruar dhe janë transportuar në terminalin doganor për trajtim të mëtejshëm, ndërkohë që rasti është në trajtim nga njësia kompetente policore.