Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me aksionin që ka zhvilluar sot në filianin e bankës së ashtuquajtur “Nardodna Banka” në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicë të Veriut.
Sipas njoftimit që ka lëshuar policia është konfiskuar një kasafortë e cila në kohën e kryerjes së kontrollit nuk ishte arritur të hapej.
Hetuesit policor kanë arritur që të identifikojnë menaxherin e pikës dhe janë sekuestruar mjetet monetare si në vijim:
- 152,290.00 Dinar (njëqind e pesëdhjetë e dy mijë e dyqind nëntëdhjetë dinar serb)
- 4580 euro (katërmijë e pesëqind e tetëdhjetë euro)
- 940 franga (Nëntëqind e dyzet franga zvicerane)
Tutje në njoftim thuhet se pas përfundimit të kontrollit menaxherja e pikës është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës në prezencën e avokatit mbrojtës, përderisa procesi i kontrollit është zhvilluar pa asnjë incident.
Policia bën me dije se hetime të tjera profesionale lidhur me rastin janë në proces dhe të gjitha vendimet ligjore në vazhdim do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.