Policia me plan operativ për zgjedhjet lokale 2025

Policia me plan operativ për zgjedhjet lokale 2025

Këtë të hënë Policia e Kosovës ka zhvilluar një takim ku është diskutuar angazhimi për implementimin e “Planit për Zgjedhjet Lokale 2025” dhe “Analizës së punës periodike”, raporton Gazeta “Enigma”.

Drejtori i Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, ka theksuar se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor është primar për Policinë e Kosovës.

“Njëkohësisht nga të gjithë eprorët e lartë policorë u kërkua që të rritet performanca në punë si dhe të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, po ashtu të njoftohen të gjithë zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor, me qëllim të përmbushjes së detyrave, misionit dhe vizionit të PK-së”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje ata kanë njoftuar se “planifikimi operativ i Policisë për zgjedhjet përfshin katër faza: periudha parazgjedhore, fushata parazgjedhore, dita kryesore e votimeve (“dita Z”) dhe periudha pas zgjedhjeve. Janë marrë masa që të angazhohen zyrtarë policorë nga njësite të ndryshme, si dhe janë caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të përfshira”.

Po ashtu, është diskutuar iniciimi i veprave penale për çdo shkelje të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e masave ligjore kundër veprimeve që cenojnë zgjedhje të lira dhe demokratike, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.

Policia e Kosovës ka riafirmuar angazhimin e saj për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë ligjore “në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit.”

“Policia e Kosovës për zgjedhjet lokale do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces”, njofton Policia përmes një potimi në Facebook.

Related Articles