Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në Prishtinë, pasi një njësi policore ka ndalur një veturë e cila kishte bërë shkelje të rregullave në trafik.
Sinjali mëson se pasi Policia u ka kërkuar shoferit dhe pasagjerëve të dalin nga vetura, njëri prej tyre ka refuzuar të bindet duke i penguar kështu policët që të kryejnë punën e tyre.
25-vjeçari dyshohet se pasi ka dalë nga vetura ka sulmuar zyrtarin policor dhe të njëjtit i ka shkaktuar lëndime trupore.
Si pasojë e veprimeve të tij, i riu është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa polici ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Po ashtu tretman mjekësor ka marrë edhe vetë i dyshuari.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.