Njësiti Task Forcë i Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren me ç’rast ka parandaluar dhe ka zbuluar në dy raste të ndryshme mallra të kontrabanduara
Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës përmes një email-i.
Njëri rast është në zonën e Kamenicës ku është ndaluar automjeti Mercedes, furgon me targa vendore, i cili është vërejtur duke hyrë ilegalisht në Kosovë. Drejtues i automjetit ishte R. M., të cilit gjatë të kontrollit i janë gjetur mallra të ngarkuara të cilat dyshohen të jenë të kontrabanduara.
Ndërsa, rasti i dytë ka ndodhur në rrugën Stublinē – Dobërqan, ku janë gjetur pajisje që kapin vlerën e 20 mijë eurove.
“Në rrugën Stublinē – Dobërqan automjeti Tauran, me targa serbe, i cili dyshohet se kishte hyrë në mënyrë ilegale në Republikën e Kosovës, në përpjekje për t’iu shmangur kontrollit të njësitit Task Forcë dhe duke mos iu bindur urdhrave të Policisë, përveç që ka rrezikuar zyrtarët policorë”.
“I njëjti gjatë vozitjes humb kontrollin mbi automjet duke dalë nga rruga. Gjatë kontrollit është vërejtur se i dyshuari me iniciale F. M. mashkull, shtetas i Serbisë, në automjet kishte pasur të ngarkuara pajisje të ndryshme të kontrabanduara, ku vlera e përafërt e tregut arrin shifrën rreth 20.000 euro”.
“Lidhur me rastet të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kujdestar , malli dërgohet në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme që parashihen për raste të tilla”, thuhet në njoftim.