Policia e Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar të bërë publik nga Stacioni Policor në Mitrovicë të Veriut, ka hedhur poshtë disa raportime në media dhe rrjete sociale, të cilat e paraqisnin një aktivitet të zhvilluar në qytet si “protestë” apo “eskalim të situatës”. Sipas autoriteteve policore, këto informacione janë të pasakta dhe nuk reflektojnë realitetin në terren.
Në deklaratën e saj, Policia ka sqaruar se aktiviteti që ka ngjallur shqetësime dhe keqkuptime në publik, nuk kishte aspak karakter protestues apo destabilizues.
Bëhej fjalë thjesht për defilimin tradicional të maturantëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, një ngjarje festive që organizohet çdo vit me rastin e përfundimit të shkollës së mesme. Ky aktivitet, siç theksohet në njoftim, ishte paralajmëruar paraprakisht nga vetë nxënësit pranë Policisë së Kosovës, e cila kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen dhe sigurinë e tij.
“Policia e Kosovës është përkujdesur për mbarëvajtjen dhe kujdesin për këtë aktivitet, i cili ka përfunduar qetë dhe pa ndonjë problem”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij defilimi festiv janë raportuar disa provokime të vogla, por, sipas policisë, reagimi i shpejtë dhe i matur i njësive policore ka bërë që situata të mos dalë jashtë kontrollit.
Sipas Policisë, me ndërhyrjen e saj, është arritur të parandalohet çdo mundësi përshkallëzimi dhe festa ka vazhduar pa probleme të mëtejshme.
“Gjatë festimit të maturës kanë ndodhur disa provokime dhe, me qëllim evitimin e ndonjë përshkallëzimi, Policia ka reaguar. Situata është qetësuar dhe maturantët kanë vazhduar festën e tyre pa pasur nevojë për reagim shtesë”, theksohet më tej në deklaratë.
Në përfundim, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e treguar dhe ka bërë thirrje që të gjithë të vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë publike. Autoritetet i sigurisë kanë inkurajuar qytetarët të raportojnë çdo rast të dyshuar apo sjellje të rrezikshme në numrin emergjent 192, me qëllim që të krijohet një ambient më i sigurt për të gjithë.