Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke u marrë me rastin e çerdhes “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, ku u publikuan pamjet teksa një edukatore e tërhiqte zvarrë një fëmijë 3-vjeç.
Lajmin për Gazetën “Enigma” e konfirmoi zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se detajet mund të bëhen të ditura pas përfundimit të fazës fillestare.
“Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast. Për detaje mbesim në kontakt pasi të përfundon faza fillestare e hetimit”, tha Ahmeti.
Në lidhje me rastin ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se Inspektorati i Arsimit ndodhet në institucionin në fjalë.
“Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme”, tha Nagavci.