Policia shqiptare ka marrë masat për garantimin e mbarëvajtjes së protestës kombëtare të thirrur nga opozita, të premten në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Mbi 1000 efektivë do të jenë në terren dhe në gatishmëri, ku përveç forcave të rendit, Forcave Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA-s, do të ketë edhe agjentë civilë.
Duke nisur që prej orës 23:45, të së enjtes nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, Policia e Tiranës ka marrë masat për të devijuar qarkullimin e automjeteve përmes rrugëve alternative.
Policia iu bën apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Policia e Tiranës i bën thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprime të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, raporton Euronews.al
