Policia sekuestron mbi 69 komplete me çadra dhe shezlongë në bregdetin e Kavajës

Policia sekuestron mbi 69 komplete me çadra dhe shezlongë në bregdetin e Kavajës

Policia Shqiptare ka bërë të ditur se i ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare të Kavajës, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se është liruar një hapësirë në plazhin e Vilë Bashtovës, që ishte zënë në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, janë sekuestruar 69 komplete me çadra dhe shezlongë, si dhe është proceduar penalisht një shtetas shqiptar.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë”.

“Gjatë kontrolleve, në një hapësirë publike në plazhin e Vilë Bashtovës u hoqën dhe u sekuestruan 69 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga shtetasi A. A. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 52 vjeç, banues në Rrogozhinë”, thuhet në njoftim.

PSh-ja shton se shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Related Articles