Pas paralajmërimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se nga institucionet e sigurisë kanë informacione që se ka përpjekje nga ana e pushtetit në Serbi, që nesër, ditën e Vidovdanit të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan, ka reaguar Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës ka thënë se janë marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë manifestimeve për “Vidovdan’.
Në një komunikatë për media, Policia ka bërë të ditur se janë ndërmarrë masat planifikuese për menaxhimin e situatës së sigurisë në vend.
“Lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan, përmes një takimi zyrtar të mbajtur sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim.
Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente” – thuhet në njoftim.
Policia ka apeluar qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë dhe të shmangin provokimet e mundshme.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm.
Po ashtu, me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve, pjesëmarrësve në trafik”.