Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë detaje për gjithçka që ka ndodhur sot në veri të Republikës së Kosovës gjatë përpjekjes për vendosje të kryetarëve të rinj në objektet e Komunave në veri.
Policia ka thënë se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok “për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale”.
Policia e Kosovës ka thënë se qëllimi primar ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim.
Në komunikatën e lëshuar nga PK, thuhet se një numër qytetarësh ishin vendosur para objekteve të komunave me qëllim të pengimit dhe moslejimit të kryetarëve për t’u future brenda ojbketeve të komunave.
“Policia e Kosovës duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me të njëjtit dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre”, thuhet në komunikatë.
Policia sqaron se kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur dhe persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare.
Policia tregon se me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës.
Në komunikatë thuhet se si pasojë e dhunës janë lënduar pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër (4) automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
PK në këtë komunikatë ka treguar edhe për pengesat që janë vendosur në rrugë në veri e të cilat i kanë larguar.
“Individë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese.
Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente.
Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore”, thuhet në komunikatë.
Në fund thonë se hetimet dhe veprimet e mëtejshme hetimore do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë. Kanë konfirmuar se situata është qetësuar dhe se Policia do të vazhdojë angazhimin për të ofruar siguri për qytetarët.
“Sikurse në çdo rast, hetimet dhe veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, për rastin e cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.
Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend”, përfundon njoftimi.