Policia ka rikonfirmuar se pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të tyre me mjete të rënda.
Po ashtu ka njoftuar se vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serbë në Kosovë po zbatohet.
“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi”.
Policia ka konfirmuar se, pas bllokimit të rrugëve në veri, është shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore dhe se janë ndaluar dhe maltretuar qytetarët shqiptarë që kanë qarkulluar në këtë pjesë.
“Informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit”.
“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”.