Policia vazhdon hetimet në Banjskë

Policia vazhdon hetimet në Banjskë

Policia e Kosovës është ende duke kryer hetime në zonën malore të Banjskës, ku më 24 shtator janë sulmuar pjesëtarë të këtij institucioni.

Si pasojë e sulmeve të grupit terrorist është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në operacionin e së martës, Policia, përfshirë njësitin special, është në kërkim të armëve.

Megjithatë, ai ka njoftuar se kontrollet e shtëpive në atë zonë nuk janë pjesë e operacionit.

“Sapo i kemi tërhequr njësitet speciale nga Banjska, do të thotë niveli i rrezikut ulet, por na duheshin më shumë njerëz. Nuk është e pazakontë. Po mundohemi ta çojmë aksionin deri në fund, por varet nëse do të gjendet diçka”, ka thënë Elshani.

Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit në këtë zonë edhe më 30 shtator.

Në mesin e pajisjeve të gjetura janë përmendur: raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jelekë anti-plumb.

Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, zyrtarët policorë kanë ekspozuar edhe granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë, të cilat i kanë gjetur në operacionet e kërkimit në këtë fshat në veri të Kosovës.

Related Articles