Një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh është zbuluar mëngjesin e sotëm në rrugën “Selim Shehu” në Kaçanik, gjatë një operacioni të ndërmarrë nga Njësia e Hetimeve e DKKO Prishtinë, në bashkëpunim me njësitë e specializuara operative (NJSO).
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 06:30 të mëngjesit të 25 prillit, gjatë kontrollit të personit të dyshuar Agim Bela (rreth 51-vjeçar), janë sekuestruar armë, municion dhe pajisje të ndryshme, prej të cilave një pjesë pa leje të vlefshme.
Sipas informatave që ka në dispozicion Sinjali, te Bela janë gjetur:
• 3 pushkë gjuetie (dy me leje, një me dylbi)
• 1 pistoletë 9 mm
• 1 pushkë ajrore 4.5 mm
• 450 fishekë të llojeve të ndryshme, nga të cilët të paktën disa janë pa leje
• 27 thika me përmasa të ndryshme
• Dylbi nate dhe dylbi zmadhues pa numër serie
• Dron-Mini dhe pajisje për pastrim armësh
Arsenali është konfiskuar nga Policia, ndërsa me autorizimin e Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti penal:
“Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Agim Bela është intervistuar në prani të avokatit personal, dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti ka ngritur shqetësime për qëllimin e mbajtjes së këtij arsenali, ndërsa hetimet janë në vazhdim për të verifikuar burimin, përdorimin e mundshëm dhe ndërlidhjet e personit me çështje të tjera të sigurisë.