Policia e Kantonit të Cyrihut ka arrestuar një çift nga Shqipëria – një burrë 44-vjeçar dhe një grua 38 vjeçare – të cilët kërkoheshin nga autoritetet italiane, pasi të njëjtit i kishin ikur dënimit me burg për një krim të kryer, njofton Gazeta Enigma.
Arrestimi i tyre u bë në Weiningen, të hënën e 17 qershorit.
“Hetuesit e policisë kantonale të Cyrihut vunë re në Zürcherstrasse një automjet me targa italiane. Kur udhëtarët e automjetit u kontrolluan, ata nuk mundën të identifikoheshin, ndaj u desh të dërgoheshin në komisariat. Nga identifikimi rezultoi se ata ishin një shqiptar 44-vjeçar dhe një shqiptare 38-vjeçare, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar nga Italia. Dy personat ishin arratisur nga vuajtja e dënimit me burg në lidhje me një krim të dhunshëm”, thuhet në komunikatën e Policisë së Cyrihut.
Kur policia kontrolloi automjetin e tyre, ata gjetën mjete për vjedhje.
Pas procedimit të rastit nga ana e policisë, dy personat janë dorëzuar në prokurorinë publike të Cyrih-Limmat. /Gazeta Enigma