Politikani rumun: Nuk duhet të luajmë me Kosovën

Politikani rumun: Nuk duhet të luajmë me Kosovën

Kosova e Rumania janë në një grup në eliminatoret për Kampionatin Evropian të futbollit që mbahet në vitin 2024. Kosova e Rumania do të përballen për herë të parë. Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës, por përfaqësuese të saj, si ajo e hendbollit, tashmë ka luajtur me Kosovën.

Por ndërkohë janë paraqitur ide absurde në shtetin rumun. Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Teodor Melescanu, ka thënë se Rumania nuk duhet të luajë ndaj Kosovës, përfaqësueses së shtetit që nuk e njeh. Deklarata e tij është publikuar të hënën nga shumë media në Rumani.

Heqja dorë nga ndeshjet, që vlerësohet se nuk mund të ndodhë, do të sjellte pasoja për Federatën e Futbollit të Rumanisë.

Sipas Melescanut, Rumania duhet të pajtohet me dy humbje me rezultat zyrtar 3:0 dhe mos të paraqitet në fushë ndaj Kosovës.

“Kosova nuk është e pranuar nga një numër shtetesh, duke përfshirë shtetin tonë, Rumaninë. Ne asnjëherë nuk kemi pranuar pavarësinë e Kosovës. Normalisht, ajo që mund të bëhet tani është që federata jonë e futbollit, përmes Razvan Burleanu, të diskutojë me shtetet tjera që kanë pozicion të njëjtë si Rumania dhe së bashku të gjejnë një rrugë që nuk do të shkatërronte gjithë sistemin dhe nuk do të shpërfillnin gjërat që janë shumë të qarta nga këndëvështrimi i Rumanisë”, ka thënë Melescanu, përcjell “ziare.com”.

Melescanu ka mbajtur edhe pozita tjera të rëndësishme në Rumani. Ishte senator në tri mandate, ndërsa ishte edhe ministër i Mbrojtjes. Ishte edhe kryetar i senatit të Rumanisë.

Sajti “prosport.ro” ka shkruar se me refuzimin e ndeshjeve ndaj Kosovës, Rumania do të rrezikonte përjashtimin nga UEFA. Në fakt ky vlerësohet prej propozimeve më të çmendura që janë bërë në vitet e fundit në ndonjë vend evropian. Për më tepër që Kosova është përballur shumë herë me Rumaninë në sporte tjera, ndërsa klubet kosovare përballen me ato rumune edhe në futboll.

Është thuajse e pamenduar që Federata e Futbollit të Rumanisë t’i përgjigjet pozitivisht propozimit absurd të politikanit dhe diplomatit rumun.

Razvan Burleanu, të cilin e ka përmendur politikani, është president i Federatës së Futbollit të Rumanisë.

“Unë them se Federata rumune duhet të gjej një zgjidhje. Nëse jo, atëherë ajo që mund të bëhet është të humbim 3:0 me Kosovën”, ka thënë tutje Melescanu.

“Prosport” shkruan se Melescanu ka folur për “Antena 3”.

Related Articles