Ligjvënësit polakë miratuan ndërtimin e shpejtë të një muri prej 402 milionë dollarësh në kufirin me Bjellorusinë, në një përpjekje për të frenuar fluksin në rritje të emigrantëve.
Për realizimin e këtij plani me propozim të Qeverisë, që nënkupton ndërtimin e një muri me sensorë lëvizjeje, pas konfirmimit të djeshëm në parlament, duhet vetëm miratimi i presidentit Andrzej Duda, raporton AP.
Polonia dhe vende të tjera të BE-së akuzojnë presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko për inkurajimin dhe ndihmën e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika për të kërkuar hyrjen në BE përtej kufijve të tyre me Bjellorusinë.
Ata deklarojnë se qeveria në Minsk po përpiqet të destabilizojë të gjithë Bashkimin në shenjë hakmarrjeje për sanksionet perëndimore.
Disa emigrantë, kryesisht nga Iraku dhe Siria, kanë vdekur nga lodhja pranë kufirit midis Polonisë dhe Bjellorusisë, i cili kalon mbi 400 kilometra nëpër pyje, ligatina dhe përgjatë lumit Bug.
Polonia ka ngritur një gardh me tela me gjemba drejt Bjellorusisë dhe ka dërguar mijëra ushtarë dhe policë atje, por masat kanë dështuar për të frenuar fluksin e emigrantëve, megjithëse rojet kufitare kanë, sipas ligjit të ri polak, autoritetin për të kthyer migrantët përtej kufirit menjëherë. /Gazeta “Enigma“/