Posta e Kosovës është në krizë financiare për kohë të gjatë dhe tani ka telashe edhe me ekzekutimin e pagave për punonjësit e saj. Përkundër zotimit të Qeverisë Kurti se do ta ringjallte këtë ndërmarrje publike, në horizont gjërat nuk po duken mirë.
Së fundi, stafit të Postës së Kosovës, iu shkoi në ‘Inbox’ një njoftim nga menaxherët.
Sipas emailit të publikuar nga Gazeta Insajderi, menaxhmenti kërkon mirëkuptim nga stafi pasi që gjysmën e pagës së muajit maj 2022, nuk e kanë marrë ende.
Në porosinë elektronike dërguar punëtorëve, thuhet se për gjysmën tjetër të pagës, Posta e Kosovës është duke pritur një mbështetje financiare në formë kredie.
“Ju informojmë se jemi në pritje të pranimit të mjeteve nga një mbështetje financiare në formë të kredisë, prandaj luteni për mirëkuptim për ekzekutimin e pjesës së dytë të pagave të muajit maj 2022”, thuhet ndër të tjera në email.
Nuk janë dhënë sqarime për llojin e kredisë e as për institucionin mbështetës, ku planifikon t’i sigurojë mjetet.
Më 12 mars të vitit 2018, Bordi i Drejtorëve të ndërmarrjes kishte shqyrtuar gjendjen financiare ku ishte ngritur alarmi për thellim të krizës nga muaji në muaj. Kriza dhe jostabiliteti në ndërmarrje, duket se po vazhdon edhe sot