Opozita në vend, e më fuqishëm PDK po kërkon vazhdimisht zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare.
Kjo temë u diskutua edhe gjatë një interviste me analistin Xhevdet Pozhari, shkruan lajmi.net.
Pozhari thotë se PDK nuk ka arritur ta bindë opinionin pse duhen zgjedhje të reja por shton se kjo është më shumë një çështje inatesh politike
“Obligim i secilës opozitë është që ta bëjë opozitarizmin të atillë që ta bind masën se një Qeveri e caktuar nuk mund të vazhdojë për këto ose ato arsye. PDK-ja nuk i tregon të gjitha arsyet pse duhet të shkohet në zgjedhje por kërkon zgjedhje. Më shumë është çështje inatesh politike nëse ka dikush guxim të shkojë të matet apo jo sesa që ka arritur ta bindë opinionin konkretisht, pse duhet të ketë zgjedhje të reja”, ka thënë Pozhari në një intervistë për lajmi.net
Pozhari thotë se po të mbaheshin zgjedhjet në këto rrethana, Vetënvedosje sërish do të dilte prapë fituese. Megjithatë ai thotë se është për t’u diskutuar se me çfarë rezultati do të fitonte. Në vendin e dytë e vë LDK-në.
“Në këto rrethana mendoj se Vetëvendosja do të dilte sërish e para. Pastaj do të zhvillohej ai diskutimi se a do të fitojë 50 %, më pak ose më shumë. Pa dyshim se Vetëvendosje do të ishte fituese. Nuk mendoj se PDK-ja do të ishte e dyta qysh ka qenë në zgjedhjet e kaluara. Mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të rikuperohet pas disa ndryshimeve që i kanë bërë. E kanë prezantuar një projekt që është shumë i diskutueshëm pasi që ka riciklim idesh, megjithatë e ka një projekt”, shton Pozhari për lajmi.net.