Pranohen në prova katër artikuj që lidhen me dy dëshmitarë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Pranohen në prova katër artikuj që lidhen me dy dëshmitarë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniq, ka marrë vendim për të pranuar në prova materiale katër artikuj që lidhen me dëshminë e dëshmitarëve 1DW-008 dhe 1DW-009.

Vendimi i cili është marrë më 28 tetor 2025 ishte bërë pas kërkesës së mbrojtjes së Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq. Kërkesa u bë më 17 tetor 2025 dhe u konsiderua e dorëzuar me kohë sapo mbrojtja e ka marrë materialin përkatës.

Kjo kërkesë nuk ishte kundërshtuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja kishte thënë që këto prova janë relevante dhe se asnjë pale nuk i shkaktohet dëm nga pranimi i tyre pasi ato do e kenë mundësinë që ta marrin në pyetje secilin prej dëshmitarëve përkatës lidhur me ato.

Provat që lidhen me dëshmitarin, thuhet se janë versione të gjuhës angleze dhe shqipe të një interviste të dëshmitarit të publikuar në “Zëri”.

Ky artikull thuhet se lidhet me përvojën e dëshmitarit në Kosovë gjatë 1998-ës dhe 1999-ës. Po ashtu, edhe për rolin e SHBA-së në Kosovë, ndërveprimin e dëshmitarit me UÇK-në e veçanërisht me Thaçin.

Një version i kësaj interviste ishte pranuar edhe më parë në prova materiale dhe sipas trupit gjykues, ky version nuk ndryshon materialin paraprak.

Kurse për dokumentet që lidhen me dëshmitarin 1DW-009, janë nga dokumenti zyrtar i Republikës Federale të Jugosllavisë me datë 25 qershor 1999, që përfshinë dekrete të ndryshme që heqin gjendjen e luftës, si dhe një përkthim të pjesshëm në anglisht.

Sipas trupit gjykues, këto dokumente lidhen me periudhën e konfliktit të armatosur, dëshminë e ardhshme të 1DW-009, veçanërisht rolin e tij në ndërveprim me autoritetet serbe, përfshirë instrumentet dhe proceset për të përfunduar konfliktin.

Related Articles