Një rrokadë e mirëfilltë ka ndodhur tashmë mes Partisë Demokratike dhe televizionit Top Channel.
Ndërkohë që Grida Duma la PD-në dhe vendosi të shkojë si moderatore në këtë televizion, burime për gazetarin Juxhin Mustafaraj bëjnë me dije se Ori Nebiaj ka vendosur që të lerë emisionin që drejtonte aty për të shkuar në PD duke pranuar mandatin e deputetes.
Mësohet se Nebijaj sapo ka firmosur formularin e pranimit të mandatit në KQZ dhe tashmë do të marrë vendin e Grida Dumës, e cila nisi mbrëmë emisionin në këtë televizion.
Nebiaj kandidoi më 25 prill në qarkun e Tiranës, ku mori 5606 vota preferenciale.
Nebiaj ishte e renditur e 18-ta në listën e PD-së, por pas rirenditjes në bazë të votave preferenciale ajo u ngjit një vend më sipër.
Sakaq, Grida Duma njoftoi largimin nga politika më 8 nëntor.
Në një konferencë urgjente ajo njoftoi se po linte mandatin e deputetes.
“Pak çaste më parë kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, për të bërë të duhur për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është vendimi i duhur. Mendoj se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kahje me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë. Fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni që zgjodha. Më e thjeshta do të ishte që të kisha qëndruar. Ka nga ata që po presin skutave të përgjojnë për shansin e tyre të humbur t’i ndrijnë parave. Mund të qëndroja thjesht për të mbijetuar, mund të bëja sikur nuk e shoh luftën e jashtme, por shumë vite në politikën e vijës së parë, nuk i jam larguar përgjegjësisë dhe as betejës, madje kam qenë e para, “, tha Duma.
Grida Duma e mori mandatin vitin e kaluar në zgjedhjet e 25 prillit. Duma ka qenë një nga zërat më aktivë të opozitës në Kuvend por edhe në publik.