Prattipati i shkon në zyre Kurtit, shpreh shqetësim: Po shqyrton që t’i përjashtojë partitë serbe nga zgjedhjet lokale

Prattipati i shkon në zyre Kurtit, shpreh shqetësim: Po shqyrton që t’i përjashtojë partitë serbe nga zgjedhjet lokale

E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, është takuar sot me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, lidhur me zgjedhjet lokale, teksa ka theksuar vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë proces.

Pas takimit, ajo ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë, veprimet e Kurtit dhe Vetëvendosjes që po synojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. KQZ pikërisht sot do të bëjë certifikimin e partive.

Prattipati ka theksuar rëndësinë që serbët e Kosovës të përfshihen në zgjedhje.

“Me kryeministrin në detyrë kemi diskutuar për veprimet, që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të ardhshme. Të jemi të qartë, besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që limiton zgjedhjet e tyre. Ia kam bërë të qartë këto pika kryeministrit në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-së për këtë çështje”, ka deklaruar Prattipati, siç raporton Koha.net.

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mbahet sot në orën 17:00.

Në rend dite në mbledhjen e sotme është certifikimi i grupit të katërt të 36 subjekteve politike kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Deri më tani KQZ ka certifikuar 58 subjekte politike, prej të cilave janë 31 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 510 prej të cilëve 34 kandiatë për kryetarë të komunave dhe 476 për anëtarë të kuvendeve komunale.

Related Articles