Prattipati – mediave serbe: Të shqetësuar me veprimet e Qeverisë që kanë rritur tensionet

Prattipati – mediave serbe: Të shqetësuar me veprimet e Qeverisë që kanë rritur tensionet

E Ngarkuara me Punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, gjatë një bashkëbisedimi për mediat lokale serbe në Kosovë, ka thënë se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e serbëve në Kosovë dhe shtoi se presin nga ajo që t’ia sigurojë serbëve mundësitë e barabarta dhe përfaqësimin në jetën politike.

Siç raporton mediumi në gjuhën serbe “KoSSev”, ajo ka thënë se vendi i saj është “i shqetësuar për veprimet e qeverisë në detyrë dhe lëvizjet që kanë rritur tensionet, veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e serbëve në Kosovë”.

“Qeveria e Kryeministrit në detyrë Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë banorëve të Kosovës dhe Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të mund të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës”.

Prattipati ka folur edhe për mungesën e një ambasadori amerikan në vend që kur ambasadori Jeffrey Hovenier, përfundoi mandatin e tij.

Ajo tha se përzgjedhja e një ambasadori mund të kërkojë kohë.

“Mungesa e një ambasadori nuk do të thotë mungesë angazhimi i SHBA-së”, thotë ajo, duke përmendur vizitën e fundit të një zyrtari të lartë nga Byroja për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan.

Prattipati gjithashtu ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara kanë “mbështetur me krenari rrugën e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë”.

Në anën tjetër, Prattipati ka thënë se nga serbët e Kosovës pritet që  të marrin përgjegjësinë për “ndihmë në ndërtimin e një Kosove më të qëndrueshme dhe të begatë”.

“Kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty. Pjesëmarrja siguron rolin tënd në formësimin e së ardhmes”, tha ajo.

Related Articles