Presidenca çeke: Mbështetje për liberalizimin e vizave me Kosovën, por duhen sqaruar disa tema

Presidenca çeke: Mbështetje për liberalizimin e vizave me Kosovën, por duhen sqaruar disa tema

Pak çaste më parë ka përfunduar takimi i Grupit Punues i Këshillit të BE-së për Vizat ku në rend të ditës ishte diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së, pas përfundimit të takimit, ka thënë se Kosova i ka përmbushur dhe vazhdon t’i përmbushë kriteret për heqjen e regjimit të vizave.

Megjithatë, aty bëhet e ditur se janë disa çështje që duhet të diskutohen para se të jepet drita jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave”.

“Grupi Punues e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve mbi këtë temë dhe në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Në mënyrë që të ketë progres në këtë çështje do të jetë e nevojshme që të sqarohen një sërë temash të ndërlidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, thuhet në përgjigjen e Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së të siguruar nga RTV Dukagjini.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se Franca ka vendosur sërish kushte për liberalizimin e vizave.

Ky medium thotë se është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Propozimi besohet se është bërë nga zyrtarët francezë dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Related Articles