Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, sot hodhi akuza ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se përmes shkëmbimit të letrave me BE-në, “ka vazhduar mandatin e EULEX-it, rrjedhimisht edhe të Gjykatës Speciale në Kosovë”.
Në lidhje me këtë reaguan nga Presidenca, duke thënë se Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të Gjykatës Speciale.
“Deputeti Artan Behrami është mirë të mos shpif. Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të Gjykatës Speciale. Mandati i kësaj gjykate është përcaktuar me amandament kushtetues të votuar nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës dhe ai nuk mundet as të ndryshohet e as të ndërpritet apo vazhdohet nga institucioni i Presidencës”, tha këshilltari për Media në Presidencë, Bekim Kupina.
“Presidentja ende nuk ka nënshkruar asgjë sa i përket mandatit të EULEX-it, edhe pse është plotësisht në mandatin e saj ta bëjë një gjë të tillë, siç ka qenë njësoj në mandatin e Presidentit Thaçi, kur ai ia vazhdonte mandatin teknik të EULEX-it, për mentorim, monitorim dhe këshillim. Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, është përcaktuar në Vendimin e Këshillit të BE-së të datës 5 qershor 2025, vendim ky që është publik”, u tha tutje në reagim. /Gazeta Enigma