Dje u dha lajmi më “shokues” në botën e futbollit për shekullin 21, kur Barcelona komunikoi zyrtarisht se Lionel Messi nuk do të jetë pjesë e skuadrës.
Për shkak të rregullave financiare nga La Liga, palët nuk kanë mundur ta vazhdojnë bashkëpunimin më tutje.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta në një konferencë për shtyp ka zbuluar zyrtarisht arsyen e largimit të argjentinasit.
Ai thotë se Messi donte qëndrimin, por që rregullat e La Ligës nuk e lejuan këtë.
“Messi dëshironte të qëndronte, të gjithë donim të qëndrojë. Dua t’i falënderoj të gjithë për këto negociata për shumë muaj. Duhej të plotësonim kushtet për fair play”, tha Laporta.
“Fair Play nuk na lejoi të nënshkruajmë përfundimisht kontratën që ishim rënë dakord me Leo Messin”, tregoi ai.
“Klubi është mbi lojtarët, trajnerët dhe menaxherët”, theksoi i pari i klubit katalunas.