Presidenti i Federatës së Italisë kërcënon Juventusin me përjashtim nga Serie A

Presidenti i Federatës së Italisë kërcënon Juventusin me përjashtim nga Serie A

Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina këmbëngul se Juventusi do të përjashtohet nga Seria A nëse Superliga realizohet.

Presidenti i Bianconerëve, Andrea Agnelli është një nga arkitektët e garës së shkëputur që u shpall nga 12 klube evropiane një vit më parë, por u shua brenda 48 orëve.

Nëntë nga këto 12 klube kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga kompeticioni. Juventus, Real Madrid dhe Barcelona janë ende zyrtarisht të përfshira në projekt dhe Agnelli tha në fillim të këtij muaji se kontrata e nënshkruar me organizatorët e kompeticionit është ende e vlefshme për 11 nga ato 12 klube.

“Ajo kontratë është vetëm një hipotezë, por Juventusi do të përjashtohej nga Seria A nëse bëhet realitet”, tha Gravina për gazetën La Repubblica.

“Superliga është përgjigja e gabuar për një problem real. Italia duhet të mendojë se si ta bëjë ligën më tërheqëse për tregje në zgjerim si ai arab, ku për momentin nuk jemi mjaftueshëm”, përfundoi ai.

Related Articles