Presidenti i Rubin Kazanit, Marat Safiullin, ka konfirmuar se klubi nuk ka ndërmend ta shesë lirë sulmuesin e kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, i cili ka zgjuar interesimin e disa klubeve evropiane.
Sulmuesi ka treguar formë të lartë prej se është bashkuar me klubin rus, duke e rritur vlerën e tij.
“Daku ka edhe një vit kontratë me ne. Ka oferta konkrete për ta blerë, por çmimi i tij është i lartë. Pothuajse të gjithë lojtarët tanë kanë fituar vlerë në treg, përfshirë edhe Mirlind Dakun”.
“Klube nga Spanja dhe Italia janë duke e ndjekur me vëmendje”, ka deklaruar Safiullin për “Business Online”.
Daku iu bashkua Rubin Kazanit në korrik të vitit 2023 dhe që nga atëherë ka bërë 58 paraqitje, duke realizuar 21 gola dhe dhënë 12 asistime.
Ai ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2026, ndërsa vlera e tij aktuale në tregun e transferimeve vlerësohet në rreth 7 milionë euro.