Presidentja e PE-së fton nisjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës sivjet

Presidentja e PE-së fton nisjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës sivjet

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola gjatë vizitës së saj në Ukrainë, bëri thirrje që shteti ukrainas t’i lejohet fillimi i negociatave për anëtarësim në BE këtë vit.

“Kam shpresë që negociatat e pranimit mund të fillojnë këtë vit”, ka thënë Metsola në Lviv. “E ardhmja e Ukrainës ëshë në Bashkimin Evropian”.

Vendimi përfundimtar do të varet nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, disa prej të cilave janë skeptike që Ukraina mund të rikuperohet nga lufta dhe të ratifikojë reformat e nevojshme demokratike për t’u kualifikuar për anëtarësim.

Brukseli i dha Kievit statusin zyrtar të kandidatit në muajin qershor, katër muaj pas fillimit të agresionit rus, por procesit të anëtarësimit në BE i duhet zakonsiht disa vjet, shkruan AFP.

Por, Metsola, e cila u takua me presidentin Zelensky dhe kryeparlamentarin Stefanchuk, është një ndër diplomatet më optimiste në Bruksel që anëtarësimi dhe reformat mund të përshpejtohen.

Pas takimit, Zelensky në mediat sociale falenderoi atë për rolin e saj për të siguruar përkrahjen e Parlamentit Evropian për aplikimin për anëtarësim.

“Ukraina synon të përfundojë zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur dhe të fillojë negociatat për anëtarësimin në BE tashmë këtë vit,” tha presidenti ukrainas.

Pasi të fillojnë negociatat formale, Komisioni Evropian do të duhet të gjykojë nëse Kievi ka përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, përsa i përket qeverisjes së mirë, lirive demokratike dhe shtetit të së drejtës dhe më pas të nxjerrë opinionin e tij.

Më pas, udhëheqësit e 27 anëtarësimit aktual në BE-së do të vendosin nëse dhe kur do të pranojnë fqinjin e tyre të ri. Procesi ka zgjatur shpesh më shumë se pesë vjet dhe ai është ndërprerë për disa kandidatë si Turqia dhe vende të Ballkanit Perëndimor.

Related Articles