Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, e ka ushtruar veton e saj të parë prej se u zgjodh në maj të vitit të kaluar, duke mos e dekretuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, i cili, ndër të tjera, parashikonte që licencat për kujdestarët e çerdheve të jenë edhe në gjuhën shqipe, përveç gjuhës maqedonase.
Në një deklaratë për media të martën, ajo theksoi se vendimi për veton nuk synon “të fyejë asnjë gjuhë, apo të ndjekë këshilla partiake”, por, siç tha, të inkurajojë rishikimin e disa dispozitave të ligjit të lartpërmendur, veçanërisht të neneve 9 dhe 10.
Me këto dy nene, ligji parashikon që përveç gjuhës maqedonase, në licenca të përfshihet edhe gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve.
Silanovska në sqarimin e saj thotë se nenet e kontestuara 9 dhe 10 të këtij ligji duhet të rishqyrtohen në prizmin e amendamentit pesë të Kushtetutës dhe Ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve, i cili aktualisht është i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.
“Vetëm bëra thirrje që nenet 9 dhe 10 të rishqyrtohen edhe një herë dhe të rishikohet nëse kjo mënyrë e marrjes dhe pajisjes me licencë nuk do të sjellë hapësirë për autorizim diskrecional. Unë nuk jam e njëanshme, por partitë që kërkojnë kualifikime janë”, tha Siljanovska-Davkova.
Kryeministri, Hristijan Mickoski, në anën tjetër, siguroi se dispozitat e kontestuara nga presidentja do të korrigjohen, dhe të njëjtat do të rikthehen për procedurë në Kuvend.
“Mendoj se është rutinë dhe formalitet. Do të korrigjohen dhe do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Gjuhët, do të kthehen përsëri në procedurë parlamentare dhe pres miratimin e suksesshëm të këtij ligji”, tha Mickoski të martën
Mickoski rikujtoi se gjuha zyrtare në të gjithë territorin e shtetit është gjuha maqedonase, duke shtuar se ata që dëshirojnë që formularët për provimin dhe licencën të lëshohen edhe në gjuhën shqipe, do të kenë këtë të drejtë.