Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të përvjetorit të Betejës së Koshares, sot ka dekoruar post mortem me Medalje Presidenciale pesë ushtarakë të Brigadës së UÇK-së 138 “Agim Ramadani”.
Sipas propozimit të përfaqësuesve të Brigadës, Osmani, për trimërinë e dëshmuar gjatë Betejës së Koshares dhe kontributin pas luftës, ka dekoruar ushtarakët: Adem Dahri, Afrim Beka, Arben Sejdiu, Faik Gashi dhe Skënder Rexhëahmetaj.
Dekoratat iu ndanë familjarëve të luftëtarëve në praninë e komandantëve të Brigadës 138.
Presidentja ka çmuar kontributin e luftëtarëve të UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe ka theksuar se liria e Kosovës mbanë emrin e secilit prej tyre.
“Ndihem e nderuar që në këtë përvjetor të lavdishëm si presidente dekoroj me medalje pesë luftëtarë të shquar të Brigadës “Agim Ramadani”. Kontributi dhe sakrifica e tyre do të jenë udhërrëfyes për brezat dhe tregues i vlerës së lirisë që e gëzojmë”, është shprehur Osmani.
Familjarët kanë falënderuar presidenten dhe kanë thënë se kjo dekoratë ka vlerë të veçantë në këtë përvjetor të Betejës së Koshares.
Manifestimi kushtuar përvjetorit të 23-të të Betejës së Koshares, pritet të mbahet nesër nën patronazhin e Presidentes Osmani.