Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në ceremoninë e hapjes së “Javës së të drejtave të viktimave të Krimit”, të hënën, ka folur edhe për procesin e vettingut. Ajo ka thënë se në këtë proces duhet të marrin pjesë të gjithë akterët relevantë.
“Dua të përmend edhe një proces të rëndësishëm, vettingun në sistemin e drejtësisë. Konsideroj që është tejet e rëndësishme që të gjithë akterët relevantë të japin kontributin e tyre për një proces sa më të mirëfilltë. Vetëm kur i bashkojmë forcat tona, vetëm kur edhe institucionet e drejtësisë japin kontribut substancial në këtë proces, mund të presim sukses për vendin tona, për qytetarët tanë”, është shprehur Osmani.
Sipas saj, procesi i vettingut do të kthejë besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Duhet të kemi parasysh se sidomos pas dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias, ky është një ndër proceset më të rëndësishme në rrugën e ndërtimit të një sistemi të drejtësisë, i cili punon me integritet dhe profesionalizëm e mbi të gjitha kthen besimin e qytetarëve në drejtësi”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka ftuar institucionet e institucionet e drejtësisë që të bëhen pjesë e procesit.
“Publikisht ju ftoj që të jeni pjesë e zhvillimit dhe ndërtimit të drejtë, apolitik e komplet profesional, bazuar në integritet të këtij procesi, nëpërmjet pjesëmarrjes suaj aktive në grupet punuese, duke paraqitur sugjerime dhe kontribut konkret”, është shprehur Osmani.