Në letrën drejtuar z. Borell, Presidentja Osmani ka njoftuar se EULEX-i do të jetë me mandat teknik, pa fuqi ekzekutive dhe i bazuar vetëm në monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie, bazuar në letërkëmbimin e vitit 2018 dhe kërkesave të paraqitura nga Presidentja Osmani në letrën e dërguar më 14 qershor, raporton Gazeta “Enigma”.
I njëjti mandat mund të vazhdohet edhe për një vit tjetër, në rast të vlerësimit pozitiv të punës së këtij misioni nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani ka propozuar, që me kërkesë dhe bazuar në nevojat e identifikuara nga institucionet e Republikës së Kosovës – institucionet e BE-së ofrojnë ekspertizë, shërbime këshilluese si dhe ndihmë financiare, në çështjet që lidhen me proceset e reformës në drejtësi. Poashtu, Presidentja Osmani ka ftuar EULEX-in për mbështetje teknike e këshillëdhënëse në çështjet që derivojnë nga Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Më tej, në letër, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ta garantuar sundimin e rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja dhe avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ky mandat i EULEX-it është mandat teknik, i bazuar ekskluzivisht vetëm në rol këshillëdhënës, mentorues dhe monitorues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.