Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, e ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, duke thënë se kjo e fundit ka qenë nën nivelin e detyrës gjatë krizës politike dhe institucionale.
Maliqi po ashtu ka vlerësuar se Osmani, e ka kthyer zyrën unfikuese të qytetarëve në një mjet politik personal.
‘’Nëse dikush po e përdor pozitën e nënkyetarit të Kuvendit si veto për themelimin e institucioneve, atëherë këtë gjë po e bën shumica shqiptare – serbët nuk është se nuk po nominojnë kandidatë që ne të mund të ecim tutje pa ta. Presidentja këtë vit gjatë krizës politike dhe institucionale ka qenë absolutisht nën nivelin e detyrës, duke e kthyer zyren e unifikuesit të popullit në një mjet politik personal. Nëse me këto manovra partizane mendon se mund të sigurojë mbështetje për mandat të dytë, i ka bërë vetes antireklamën më të madhe të mundshme’’, ka thënë ai.
Ndryshe, sot Osmani ka dorëzuar në Kushtetuese komentet lidhur me rastin më të fundit të dorëzuar nga deputetët e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, të cilët ndër tjerash janë ankuar edhe lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke kontestuar procedurën e votimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, procedurë e cila u bë në votim ndaras, e jo në pako, siç u bë për nënkryetarët e tjerë.