Presidentja Osmani liron nga detyra e Ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufajn

Presidentja Osmani liron nga detyra e Ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufajn

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka liruar sot nga detyra e ambasadorit të Misionit Diplomatik të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufajn.

Dekreti për lirimin e tij nga detyra e ambasadorit është marrë gjatë ditës së sotme.

Pas këtij dekreti nga presidentja Osmani ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të ndërmerr veprimet e nevojshme në zbatimin e tij.

“Beqë Cufaj lirohet nga detyra e Ambasadorit/ Shefit të Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, që të ndërmerr veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti. Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thuhet në këtë dekret.

Beqë Cufaj ishte emëruar Ambasador i Kosovës në Gjermani në prill të vitit 2018.

Cufaj u emërua ambasador gjatë kohës kur në krye të Presidencës së Kosovës ishte Hashim Thaçi.

Ndryshe para Cufajt ambasador i Kosovës në Gjermani ishte Astrit Zemaj.

Beqë Cufaj me profesion është shkrimtar dhe dikur punonte edhe si gazetar. Cufaj studio gjuhën dhe letërsinë shqipe në Prishtinë, kurse jeton në Shtutgart të Gjermanisë.

Related Articles