Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj më të sinqerta pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Rushit Ramabaja.
Me anë të një postimi të presidencës në Facebook, shkruhet se Osmani shpreh pikëllimin e thellë për humbjen e një emri të njohur të kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Rushit Ramabajës, shkrimtar, gazetar dhe intelektual i angazhuar, një emër i veçantë i kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë.Për dekada me radhë, përmes punës së tij në “Rilindja”, Radio Kosova dhe përmes një trashëgimie të pasur letrare me mbi 20 vepra, ai i dha zë mendimit kritik, fjalës së lirë dhe shpirtit krijues. Vepra dhe përkushtimi i tij do të jetojnë gjatë në kujtesën kulturore të vendit tonë”, thuhet në postim.
E para e shtetit i ka dërguar ngushëllime të thella familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit kulturor, duke thënë se kujtimi për Rushit Ramabajën do të jetë i përhershëm.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit kulturor. I përhershëm qoftë kujtimi për Rushit Ramabajën!”.
