Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë së enjtës ka bërë thirrje për forcim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, dhe ka vlerësuar se sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar.
Ajo këto deklarata i bëri gjatë një konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën për qëndrueshmërinë kombëtare.
“Sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara kibernetike, ushtarake, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar”, ka thënë Osmani.
Tutje ajo bëri thirrje për trajnim ekspertësh dhe bashkëpunim me partnerët strategjikë për ndërtim të kapaciteteve për të garantuar mbrojtje.
“Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas standardeve më të larta të NATO-s, mbetet prioriteti ynë strategjik e kombëtar”, ka thënë Osmani.
Ajo ka përmendur edhe sigurinë energjetike si shumë të rëndësishme për sigurinë kombëtare. /Gazeta Enigma