Presidentja Osmani udhëton drejt Japonisë

Presidentja Osmani udhëton drejt Japonisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht për në Japoni ku do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale, ku gjatë kësaj vizite në Tokio Osmani do të pritet në takim nga Lartmadhëria e Tij, Perandori i Japonisë, raporton Gazeta “Enigma”.

Osmani poashtu do të ketë takim bilateral me kryeministrin e Japonisë Shigeru Ishiba, ku do të diskutohet fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Përgjatë vizitës zyrtare, presidentja do të ketë takim edhe me pryetarin e Parlamentit, Fukushiro Nukaga.

Përveç vizitës në Tokio, gjatë qëndrimit në Japoni, presidentja do të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare për shënimin e Ditës së Kosovës në Ekspozitën Botërore Expo 2025 në Osaka. Në hapjen zyrtare të Ditës së Kosovës në Osaka, Osmani do të pritet nga ministri Naoki Okada, përgjegjës për Expo Osaka 2025. Ajo do t’u drejtohet të pranishmëve me fjalimin kryesor në emër të Republikës së Kosovës, si dhe do ta vizitojë Pavijonin e Kosovës. Ceremonia e hapjes zyrtare të Ditës së Kosovës do të përcillet po ashtu me një koncert të veçantë nga Filharmonia e Kosovës.

Në kuadër të vizitës, presidentja Osmani do të udhëheqë gjithashtu takimin biznesor në Tokio, së bashku me një delegacion të përbërë nga përfaqësues të bizneseve nga Kosova, si dhe në prezencë të bizneseve nga Japonia. Ky takim synon promovimin e mundësive për investime japoneze në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh.

Gjithashtu, presidentja Osmani do të takohet me Tanaka Akihiko, kryetar i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim të mëtejmë zhvillimor me Japoninë. Si pjesë e agjendës së saj zyrtare në Tokio, presidentja Osmani poashtu do ketë një diskutim me studentë të Sophia University si dhe një sërë aktivitetesh të tjera që kanë për synim afirmimin dhe thellimin e mëtejmë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

Related Articles