Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për një vizitë pune në Finlandë, me ftesë të Presidentit finlandez, Alexander Stubb, njofton Gazeta Enigma.
Kjo vizitë do të filloj me një ceremoni zyrtare të organizuar në Pallatin Presidencial në Helsinki, pas së cilës të dy presidentët do të zhvillojnë një takim tête-à-tête, pasuar nga një takim ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve.
Në kuadër të vizitës, presidenti finlandez do të shtrojë drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial në Helsinki.
Presidentja Osmani, do të ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, për kontributin e tyre për paqe e siguri në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s – misionit të KFOR-it.
Sipas njoftimit, Osmani gjatë vizitës në Finlandë do të pritet gjithashtu nga Jussi Halla-aho, kryetar i Parlamentit të Finlandës si dhe nga ministrja për Punë të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.
Osmani gjithashtu do të mbajë një diskutim në Universitetin e Helsinkit me temën “Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin”, ku para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve do të shpalosë prioritetet strategjike të Republikës së Kosovës.
Ndër të tjera, gjatë qëndrimit në Finlandë, Osmani do të zhvillojë një takim me përfaqësues të mërgatës kosovare, për të bashkëbiseduar me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për të shprehur mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në fuqizimin e vendit./GazetaEnigma/