Komuna e Prishtinës të enjten ka prezantuar planin e fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi se bashkërisht me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama kanë filluar tashmë të diskutojnë për këtë projekt.
Ndërsa, teksa shpalosi disa nga prioritet e tij theksoi se shëndetësia kosovare ka nevojë për inevstime në infrastrukturë.
Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur se për qytetarët mungesa e një spitali të përgjithshëm ka qenë disfavor.
Ai shtoi se “ky spital është i nevojshëm për qytetarët e Prishtinës”.
Në vitin 2019, ministri i Shëndetësisë, Uran Isamili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilat, në atë kohë kishin nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës. Ky projekt parashihej të përfundonte në vitin 2021.
“Ky projekt parashihet të përfundojë brenda tre vjetësh. Ky spital e ka të ndarë tashmë buxhetin prej shtatë milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Sigurisht buxheti do të rritet varësisht nga nevoja. Sa i përket lokacionit ende nuk është ndarë, por presim nga Komuna e Prishtinës ta ofrojë lokacionin”, kishte thënë Ismaili në vitin 2019.
Drejtori i Shëndetësisë Bujar Gashi kishte thënë për Albanian Post se “në vitin 2019 me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismajli kemi zhvilluar disa takime në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Prishtinës”.
“Me aq sa kemi njohuri, në fillim të pandemisë vitin e kaluar ka përfunduar plani i fizibilitetit për Spitalin e Prishtinës dhe procedurat e tjera kanë mbetur pa u zhvilluar si pasojë e pandemisë”, ka shpjeguar Gashi.
Shpend Ahmeti në zotimin e tij të 47-të si kryetari i Prishtinës kishte thënë se “do ta ndërtoj dhe funksionalizoj spitalin e kryeqytetit”.
“Themelimi dhe funksionalizimi i spitalit të qytetit- Prishtina, si kryeqytet ka nevojë edhe për shëndetin sekondar. Është i vetmi regjion nga regjionet e mëdha që nuk ka spital regjional”.
Tutje në këtë zotim ai thotë se, “Kjo do t’i ndihmonte qytetarët e Prishtinës që të mos kërkojnë ndihmë në vendet e tjera por edhe do të kursente QKUK nga shërbimet që realisht duhet të jenë shërbime të një spitali të qytetit”.
Për premtimin e ndërtimit të spitalit nga ana e komunës së Prishtinës, nuk dihet as lokacioni se ku do të ndërtohet ose kur do të fillojë të ndërtohet.