Muhabi dhe Valdete, prindërit e të ndjerës Marigona Osmani, po qëndrojnë jashtë Kosovës.
Kjo për shkak se ata po ndihen të pasigurtë pas nisjes së procesit të rigjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.
Kështu deklaroi për Klankosova.tv Gazmend Rexhepi, avokat i familjes Osmani.
“Ata po qëndrojnë jashtë Kosovës. Po ndihen të pasigurtë. Deri në përfundim të procesit gjyqësor ata do të jenë jashtë shtetit”, tha ai për Klankosova.tv
Më 24 maj kur edhe nisi procesi i rigjykimit, mbrojtja e Krivaqës kërkoi që këtij të fundit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.
Por, sipas Rexhepit nuk është e nevojshme.
“Është kërkuar nga mbrojtja e tij. Por, ende nuk është aprovuar. Mendoj se është krejtësisht e panevojshme që kjo të ndodhë. Ai është përballur qindra here me drejtësinë, dhe ka qenë tejet i vetëdijshëm. Ai ka qenë në Mjekësinë Psikiatrike dhe raporti i tyre ka konstatuar se ai nuk ka asnjë pengesë. Ai bile thuhet se ka qenë tejet bashkëpunues gjatë intervistave me stafin”, tha ai.
Avokati i familjes Osmani, tregoi edhe arsyen se pse beson që kjo po ndodhë.
“Po unë mendoj, se kjo po bëhet që të shmanget burgimi i përjetshëm”, tha avokati.
Marigona Osmani, u vra më 22 gusht 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor Dardan Krivaqa.
Ndërkaq, më 4 gusht 2023 Gjykata Themelore e Ferizajt e dënoi atë me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiun me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.
Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.