Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka vazhduar gjykimi ndaj Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.
Në këtë seancë janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve, dy prindërit e tani të ndjerës Marigona Osmanit, Valdete dhe Muhabi Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, ka dhënë deklaratën e saj, e dëmtuara Valdete Osmani e cila ka rrëfyer në lidhje me rastin e vajzës së saj. E njëjta, tha se vajza e saj ka qenë tip i qetë dhe e sjellshme, po ashtu shumë e afërt me të gjithë familjen.
“Ajo ka qenë fëmiu më i madh, s’kam pas kurrë probleme më parë. Ajo është kujdesur për të gjithë, dy muaj të fundit kur ajo filloi të bashkëjetonte me atë, se nuk du as emrin me ja përmend, vajza ndërroi sjelljet me të gjithë, ishte nervoze nuk dëshironte të bisedonte me askënd, u mbyll në vetvete”, tha e dëmtuara.
Ajo tutje, tha se Marigona nisej për në shkollë në kohën kur duhej të shkonte, por që në fakt nuk kishte qenë ashtu.
“U niske për të shkuar në shkollë çdo ditë por nuk kish shku hiq, disa arsimtarë e kishin shënuar mungesën e saj e disa të tjerë jo, kështu ajo nisi të vonohej, kur e pyesja pse është vonuar gjithmonë gjente arsye u ndala me shoqe t’u bisedu jemi vonu, ajo më ka thënë se i ka ba 18 vjet dhe nuk ka se çka të jep llogari më”, ka vazhduar tutje e dëmtuara.
Sipas të dëmtuarës Valdete Osmani, sjelljet e Marigonës kishin ndryshur për faj të tani të akuzuarit Dardan Krivaqa, sepse ato sjellje nuk kishin qenë të saj.
Kështu, e dëmtuara ka rrëfyer dhe ditën kur vajza e saj Marigona ishte kthyer në shtëpi e rrahur, me shenja në fytyrë me ballë të skuqur etj.
“Një javë para përfundimit të vitit shkollor ka ardh në shtëpi e rrahur ballin e kuq, unë ia kam vërejtur shenjat dhe e kam pyet çka ka ndodh kush të ka rreh, ajo m’ka than me shoqe në shkollë, unë i kam thënë se të nesermen do të shkoja tek drejtori shkollës me e pa qka ka ndodh, ajo mtha mos hajde se e kemi zgjidh problemin jena kan te drejtori”, rrëfeu tutje nëna e viktimës.
Pas kësaj e dëmtuara tha se kishte kontaktuar kujdestarin e klasës së saj, e kishte pyetur se a janë rrahur, i njëjti i kishte thënë se problem nuk paska pas mirëpo Marigona ka munguar në shkollë dy javët e fundit.
“Më 5 qershor 2022 ditë e shtune, ajo ka dal prej shtëpisë, më vonë e kam telefonuar mirëpo nuk është përgjigjur, i shkruja mesazhe dhe nuk i kthente, pastaj rreth orës 15:00 i kam shkru mesazh nëse nuk lajmrohesh do të shkoj në polici”, deklaroi e dëmtuara.
“Pas 10 minuta ajo më ka kthy mesazhin, mam mos u ban marak se unë me një djalë që jam kanë tu fol jam tu shku n’Shqipëri!, të njëjtin sms i’a kam dërguar burrit tim dhe pastaj kam fillu me i pyet shoqet e saj se me kënd ka biseduar Marigona, mirëpo ato nuk e dinin se me kë kishte folur ajo”, ka thënë e dëmtuara.
“Të njëjtën ditë në ora 19:00 së bashku me burrin tim kemi shku në stacionin policor në Ferizaj, ku takuam një policë i treguam ngjarjen, polici na pyeti se sa vjeç është ajo, ne i treguam që i ka 18 vite, ndërsa polici tha se ajo qenka e rritur, prisni 48 orë nëse nuk lajmërohet ejani përsëri”, ka rrëfyer tutje e dëmtuara.
Pastaj, e dëmtuara tha se i kishte dërguar përsëri mesazh “nëse nuk lajmrohesh me zë brenda gjysmë ore do të paraqes rast në polici se ti je një person i zhdukur”, ndërsa ajo pas pak e kishte telefonuar dhe kishin biseduar rreth 4 minuta.
“Ajo u lajmërua vetëm qante, e pyeta pse po qan a ke shku me qef, ajo tha po qaj se edhe jam merzit edhe jam lodh”, ka treguar nëna e Marigonës.
E dëmtuara Valdete Osmani në këtë seancë ka rrëfyer gjatë kësaj periudhe prej dy muajsh, se sa herë ka biseduar me vajzën e saj Marigonën, po ashtu për sa kohë ajo kishte qëndruar në Shëngjin me Dardanin. Ajo tha se tha se kishte biseduar me Marigonën me kamerë ku e kishte vërejtur se ajo kishte vendosur shumë sherk në fytyrë dhe në rreze të diellit i vërehej shenja, e njëjta tha se e kishte pyetur se çfarë kishte në fytyrë, ajo i ishte përgjigjur se nuk kishte asgjë dhe se vetëm po i dukej nga kamera, e dëmtuara theksonte se ajo qante vazhdimisht teksa bisedonin me kamerë.
Kështu, sipas të dëmtuarës pasi që kishin kuptuar vendndodhjen e Marigonës në Shqipëri, ishin nisur së bashku me bashkëshortin e saj për ta takuar.
“Kur kemi shku atje u takuam me ta, qika kish humb shumë peshë, i thash banu gati hajde po t’marrmi, ajo tha jo s’kam problem mirë jam, po jam tut që ika pa pëlqimin e juve”, ka treguar tutje e dëmtuara.
Tutje e dëmtuara ka thënë se pasi që ishin kthy nga Shqipëria, më vonë rreth orës 19:00, Marigona kishte shkuar tek shtëpia për t’i marrë teshat, por që nuk kishte pas hapësirë të bisedonte me të pasi që ajo kishte mbledh rrobat dhe ishte larguar.
“Dardani e priste gjithmonë, ajo asnjëherë nuk ka ardhë vetëm në shtëpi, nuk kisha rast për të biseduar, mirëpo tha vërejta se është dobësuar shumë”, tha e dëmtuara Valdete Osmani.
Tutje, ajo tregoi se për vdekjen e Marigonës kishte kuptuar e fundit, burri i saj i kishte treguar kur ishte kthyer nga spitali.
“Të gjithë më telefononin më pyesnin a kam fol me Marigonën atë ditë, unë ju tregoja se ka shku në Gjilan me Dardanin për vizitë te motra e atij, dhe askush nuk më tregonte asgjë, i kam pa lajmet në Facebook por kto raste të ndjeshme nuk mundem me i lexu e nuk e kam ditë që është t’u ba llaf për qikën tem, pastaj erdhi burri më tregoi gjithçka, e kam kap kryt nuk besojsha thojsha ajo është në Gjilan, burri më ka thënë Zoti naj ka dhanë ai naj murr”, rrëfeu e dëmtuara.
E njëjta, për në fund ka treguar se e ka pa kufomën e së bijës, rrëfeu se ka qenë e tmerruar nga ajo se çka ka shikuar. “Kur ma kanë pru kufomën, çka me pa krejt zi, dhembet e thyer, goja filqija e thyer shtrembëruar”, ka thënë ajo.
Në këtë seancë pas të dëmtuarës, është dëgjuar edhe babai i viktimës, Muhabi Osmani.
I njëjti ka deklaruar se fillimisht e kishte kuptuar nga bashkëshortja se vajza e tyre Marigona ka ikur me një djalë në Shqipëri.
I njëjti, theksoi se bashkëshortja i kishte thënë se diçka me Marigonën nuk ishte në rregull.
“Ajo ka qenë ndryshe më e hapur fliste, ndërsa pasi u bë bashkë me Dardanin ndryshoi sjelljet”, tha i dëmtuari.
Kështu, i njëjti tha se kanë shkuar së bashku me bashkëshorten në Shëngjin për t’i takuar atje ku po qëndronin.
“Pasi që arritëm, aty kishte qenë Marigona, Dardani dhe nëna e tij, kemi biseduar, nëna e atij na njoftoi, tha ky është Dardani, ajo tregoi se Dardani e kishte pas një problem e kishte rrahur një polic, 1 muj ka nejt në burg, pastaj tha intervenoj besoj që e kryj e nuk shkon ma në burg, tha e kam një të njofshëm në hetuesi në Gjilan. Neve na u duk pak e çuditshme në ato fjalë, thoshte se ka të njofshëm në Kosovë dhe në Shqipëri”, ka rrëfyer tutje i dëmtuari.
“Për një moment kam dal në teras me Marigonën kam bisedu qysh është puna a t’ka marrë me zor a qysh, se e pasha që shumë zajft ishte, ajo tha unë kam vendos që të martohem, pastaj i thash që ki naj problem diçka unë kerrin e kam posht dhe të kthej në Ferizaj, mirëpo ajo tha jo”, deklaroi i dëmtuari
Tutje i dëmtuari tha për vdekjen e Marigonës kishte kuptuar në spital kur e kishte thirr burri i motrës. I njëjti tha se e kishte shikuar dhe kufomën e vajzës së tij të ndjerë, ku shtoi se kishte pa tmerr me sy.
“Ne si familje pas këtij rasti jemi të gjithë me terapi psikologjike, ky rast është vrasja më e rëndë që ka ndodhur në vend pas lufte”, ka thënë i dëmtuari Muhabi Osmani.
Ndërsa, i njëjti ka kërkuar nga gjykata të shqiptoj dënim meritor ndaj dy të akuzuarve.
Paraprakisht në seancën e sotme dy të akuzuarit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu u deklarohen të pafajshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 10 nëntor 2022.
Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.
Kurse, më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.
Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.
Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.
Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.
Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.
Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.
Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Nihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.
Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.
Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndryshe, dosja e plotë e prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.