Nata e Bajramit të Vogël mund të konsiderohet se ishte një ditë e madhe për familjen Thaçi nga Buroja.
Prindërit Hyra dhe Haxhiu takuan për herë të parë, pas rrafsh 20 muajve, djalin e tyre Hashimin që ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Ish-presidenti i Kosovës po qëndron atje nga nëntori i vitit 2020, ku shkoi vullnetarisht pasi Gjykata Speciale e akuzoi për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Vetë Hashim Thaçit nuk i lejohet të deklarohet, ndërsa as prindërit e tij nuk është se bënë ndonjë koment pas takimit rreth shtatë orësh me djalin e tyre.
Por, ish presidenti pati folur, pak vite më parë, në Klan Kosova, për raportin e tij me prindërit.
“Shkoj si djali i Haxhiut, uroj si djali i Haxhiut, festoj si djali i Haxhiut. Petku institucional merr kuptim nga momenti i angazhimit në mëngjes, por në familje jam si gjithë të tjerët, një bashkëshort dhe prind, por edhe djali i prindërve Hyrës dhe Haxhiut”, kishte deklaruar ai.
Thaci pati thënë se të qenit lider shteti a partie nuk çon shumë peshë kur në këtë cilësi shkon në shtëpinë e prindërve.
“Unë i respektoj rregullat tradicionale në familje, edhe me qenë në raport zyrtar babai është i pari”.