Drita e ka mposhtur Prishtinën në kuadër të javës së 17-të në BKT Superligën e Kosovës me rezultat 1-0. Pas ndeshjes janë prononcuar dy kryetrajnerët, ai i Prishtinës Ibrakoviç dhe trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.
Trajnerit boshnjak, Abdullah Ibrakoviç, ka vlerësuar lojën e skuadrës nga Gjilani, ndërsa ka kërkuar nga futbollistët e tij që të jenë më konkret para portës.
“Drita është një skuadër e fortë dhe luajtën të disiplinuar duke tentuar që nëpërmjet kundërsulmeve të vijë deri te goli dhe që në fund ia doli të bëj gol. Ne nuk kemi ditur t’i shfrytëzojmë rastet tonë dhe jemi dënuar me një gol”, tha Ibrakoviç.
I pari i bankinës së Prishtinës potencoi që skuadra e Prishtinës në të ardhmën duhet të jetë më konkrete në rastet që i krijon para portës, e të cilat tha se duhet të shëndërrohen në gola.
Drita ka marrë tri pikë të mëdha pasi ka mposhtur Prishtinën në kryeqytet me rezultat 0-1. Trajneri i skuadrës së Dritës, Ardian Nuhiu, ka potencuar se ‘vendosja e mirë taktike’ ishte çelësi i fitores”.
Goli i Marko Simonovskit në minutën e 36-të ka qenë vendimtar në këtë takim për t’i dhënë tri pikët gjilanasve.
“Dua të përgëzojë djemtë për grintën dhe për luftën që zhvilluan në fushë. U vendosëm mirë taktikisht dhe nuk lejuam kundërshtarin të na rrezikojë”.
Më tej Nuhiu ia atribuoi lojtarëve të tij meritën kryesore për këtë fitore.
“Futbollistët janë më meritorët për këtë fitore. Kemi krijuar shumë raste si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën dhe me meritë e morëm fitoren në kryeqytet. Ishim shumë të disiplinuar duke ditur se Prishtina ka cilësi. Përveç atij goli kemi mundur të shënojmë edhe më shumë, por rëndësi kanë tri pikët”, deklaroi Nuhiu.
Me këtë fitore, Drita zë vendin e tretë në tabelë me 31 pikë, dy më pak se Ballkani, derisa Prishtina mbetet në vendin e pestë me 24 pikë.